Mbushjet dentare janë ndër procedurat më të zakonshme të kryera nga dentistët, dhe përdoren kryesisht për trajtimin e kaviteteve. Megjithatë, ato shpesh shërbejnë edhe për të korrigjuar probleme të vogla estetike. Sot, ekzistojnë shumë lloje të ndryshme të tyre, secila me avantazhet dhe disavantazhet e veta. Një alternativë e njohur ndaj mbushjeve tradicionale me amalgamë janë mbushjet e bardha (mbushje kompozite), të cilat kanë treguar se janë një zgjedhje më e qëndrueshme dhe më estetike për shumë pacientë. Në këtë blog, do të shqyrtojmë gjithçka që duhet të dini rreth mbushjeve me amalgamë dhe atyre të bardha, duke përfshirë dallimet, ngjashmëritë, përdorimet dhe procedurat e tyre.
Çfarë Janë Mbushjet Dentare?
Mbushjet dentare janë një trajtim restaurues që dentistët përdorin për të riparuar kavitetet dhe për të rregulluar krisjet ose çarjet e vogla në dhëmbët tuaj. Për të riparuar kavitetet, hiqet indi i prishur i dhëmbit dhe më pas mbushet hapësira. Nëse keni nevojë për një trajtim të tillë, është e rëndësishme të kuptoni të mirat dhe të këqijat e secilit lloj materiali.
Mbushjet E Bardha
Mbushjet kompozite, të bardha përbëhen nga një përzierje grimcash qelqi, rrëshire dhe një përbërësi fiksues, duke krijuar një masë me ngjyrë të bardhë që përzihet në mënyrë perfekte me dhëmbin natyral. Kjo është veçanërisht e dobishme për korrigjimin e dhëmbëve të përparmë, duke u dhënë atyre një pamje natyrale dhe estetikisht të këndshme. Për këtë arsye, mbushjet e bardha janë zgjedhja e preferuar për ata që dëshirojnë të korrigjojnë papërsosmëritë në një mënyrë diskrete.
Mbushjet Me Amalgamë
Mbushjet me amalgamë janë të përbëra nga një kombinim elementesh metalike, duke përfshirë argjendin, bakrin dhe merkurin, që është elementi më i diskutueshëm për shkak të toksicitetit të tij në formë të lëngshme. Megjithatë, studimet kanë treguar se merkuri i përdorur në mbushjet dentare nuk përbën kërcënim për pacientin. Pavarësisht kësaj, shqetësimet për merkurin kanë nxitur kërkesën drejt procedurave alternative, si mbushjet kompozite.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është ngjyra e mbushjeve me amalgamë. Këto mbushje janë të errëta dhe mund të jenë të dukshme kur buzëqeshni ose flisni, gjë që ndikon në pamjen e tyre estetike. Prandaj, shumë pacientë preferojnë mbushjet e bardha për një pamje më natyrale dhe më pak të dukshme.
A Janë Mbushjet E Bardha Më Të Mira Se Ato Me Amalgamë?
Mbushjet e bardha që përdoren sot janë shumë më të forta se ato të disa viteve më parë. Ato ngjiten me dhëmbin, duke mbyllur në mënyrë efektive hapësirat e krijuara dhe duke përforcuar strukturën e tij. Ndryshe, mbushjet me amalgamë thjesht mbyllin vrimën pa përforcuar strukturën e dhëmbit. Megjithatë, kur vendosen siç duhet dhe në mënyrë të sigurt mbushjet me amalgamë, mund të zgjasin për shumë vite pa hasur probleme. Mbushjet moderne të bardha janë gjithashtu shumë më të qëndrueshme se më parë. Megjithatë, teknika e përdorur gjatë vendosjes së të dyja metodave është thelbësore për përcaktimin e jetëgjatësisë së tyre. Një dentist i specializuar do të sigurohet që dhëmbi të mos ndikohet gjatë procedurës së mbylljes dhe mbushjes, pasi pështyma mund të ndikojë në lidhjen e materialit me strukturën e dhëmbit. Nëse kjo ndodh, materiali mund të komprometohet dhe mbushja të dështojë brenda një periudhe të shkurtër kohe. Në këtë aspekt, mbushjet me amalgamë janë më tolerante ndaj ndotjes gjatë procedurës. Nëse përdoret teknika e duhur mbushja do mund të zgjas për një kohë të gjatë dhe do të jetë mjaft e sigurt. Prandaj, është e rëndësishme të zgjidhni një dentist të specializuar dhe me përvojë për të siguruar rezultate sa më të mira.
Çfarë Përfshin Procedura E Mbushjes Dentare?
Hapat e procedurës mund të ndryshojnë në varësi të materialit që zgjidhni, por zakonisht përfshijnë:
- Dentisti juaj fillimisht do të mpijë zonën rreth dhëmbit duke përdorur anestezi lokale.
- Nëse mbushja po bëhet për të trajtuar prishjen e dhëmbit, dentisti juaj do të fillojë duke hequr indin e dëmtuar dhe të kalbur nga dhëmbi. Ai do të përdorë mjete të specializuara për të pastruar tërësisht zonën, për ta përgatitur për materialin e mbushjes.
- Pasi ky hap të përfundojë, dentisti juaj do të mbushë vrimën me materialin e zgjedhur të mbushjes.
- Nëse po bëni një mbushje dentare prej kompoziti, dentisti juaj do të përdorë një dritë kurimi dentare për të ngurtësuar materialin.
- Më pas, ai do ta lëmoj dhe do të zbus çdo cep të ashpër ose të mprehtë të dhëmbit.
- Dentisti juaj do të kontrollojë me kujdes kafshimin tuaj disa herë për t'u siguruar që gjithçka përputhet mirë.
Avantazhet E Mbushjeve Të Bardha
Mbushjet e bardha mund të përputhen lehtësisht me ngjyrën e dhëmbit tuaj. Kjo përputhje do të jetë veçanërisht e dobishme për të korrigjuar krisjet ose çarjet në dhëmbët tuaj. Mbushjet e bardha nuk kanë të njëjtin rrezik nga merkuri si kanë mbushjet me amalgamë. Gjithashtu disa njerëz thonë se pas trajtimit do të ndihen më mirë dhe do të kenë ndjeshmëri minimale. Një tjetër disavantazh i mbushjeve me amalgamë është se gjatë rrezeve X ose kontrrolleve dentare, krisjet dhe prishjet mund të mos jenë lehtësisht të dukshme, gjë që nuk ndodh me mbushjet kompozite. Gjithashtu kini parasysh se që një mbushje me amalgamë të qëndrojë në vend, baza e mbushjes duhet të jetë pak më e gjerë se qafa. Kjo do të thotë se në shumë raste, disa dhëmbë të shëndetshëm mund të kenë nevojë të gërryhen, duke cuar në dobësim të tyre.
Disavantazhet E Mbushjeve Të Bardha
Edhe pse shumica e pacientëve preferojnë mbushjet e bardha, ato kanë disa disavantazhe të mundshme. Së pari, mbushjet e bardha janë zakonisht më të shtrenjta se mbushjet me amalgamë. Gjithashtu mbushja e kaviteteve me mbushje kompozite është një procedurë që kërkon më shumë preçizion krahasuar me mbushjet me amalgamë, prandaj duhet të siguroheni që të gjeni një dentist të kualifikuar. Përveç kësaj, vendosja e mbushjeve të bardha kërkon pak më shumë kohë se sa mbushjet me amalgamë, gjë që mund të jetë një problem për pacientët që janë në nxitim.
Avantazhet E Mbushjeve Me Amalgamë
Mbushjet me amalgamë janë shumë të qëndrueshme dhe mund të zgjasin për shumë vite nëse kujdeseni si duhet për to. Falë forcës së tyre, ato mund të përdoren për të mbushur kavitete mjaft të mëdha brenda dhëmbëve. Për më tepër, kostoja më e ulët e mbushjeve me amalgamë është një avantazh i madh për pacientët me një buxhet të kufizuar. Gjithashtu fakti që ato ngurtësohen shpejt mund ta bëjë trajtimin më pak stresues për fëmijët ose pacientët me nevoja të veçanta.
Disavantazhet E Mbushjeve Me Amalgamë
Edhe pse nivelet e merkurit që gjenden në mbushjet me amalgamë konsiderohen të sigurta për pacientin, këto mbushje kërkojnë që një sasi më e madhe e dhëmbit të shëndetshëm për tu gërryer. Prandaj, integriteti strukturor i dhëmbëve tuaj mund të jetë më i sigurt me mbushjet e bardha. Për më tepër, mbushjet me amalgamë janë mjaft të dukshme për shkak të ngjyrës së tyre të errët sidomos kur qeshni ose hapni gojën. Përveç kësaj, në disa raste, ato mund të kontraktohen ose zgjerohen për shkak të ekspozimit ndaj temperaturave të larta duke rezultuar në çarjen ose thyerjen e mbushjes. Gjithashtu, duhet të keni parasysh se disa dentistë mund të mos pranojnë të kryejnë mbushje me amalgamë në klinikën e tyre.
Si Mund Të Bëni Që Mbushja Dentare Të Zgjasë Sa Më Shumë?
Pavarësisht nga lloji i mbushjes dentare, është e rëndësishme që pas procedurës të kujdeseni si duhet për gojën tuaj. Larja dhe pastrimi me fill dentar pas çdo vakti do t'ju ndihmojnë të ruani shëndetin e përgjithshëm dentar dhe të mirëmbani mbushjet, duke parandaluar prishjen e dhëmbëve dhe formimin e kaviteteve. Nëse përjetoni ndjeshmëri menjëherë pas procedurës, provoni të ndërroni furçën e dhëmbëve. E mira është të zgjidhni një furçë me qime të buta. Gjithashtu përdorni një pastë dhëmbësh që është e përshtatshme për dhëmbët e ndjeshëm, të paktën derisa dhëmbët të qetësohen. Shumë dentist sugjerojnë të përdoni pastë dhëmbësh me fluor, pasi kjo do të ndihmojë në mirëmbajtjen e mbushjeve dhe shëndetin e dhëmbëve natyral.
Gjithashtu, duhet të bëhet zakon përdorimi i fillit dentar të paktën një herë në ditë pas ngrënies dhe të kujdeseni si duhet për mishrat e dhëmbëve. Kini kujdes kur lani dhëmbët pas mbushjes dentare, përpiquni të shmangni ushqimet pikante ose ngjitëse për disa ditë dhe temperaturat shumë të nxehta ose shumë të ftohta. Për të parandaluar irritimin menjëherë pas procedurës, përdorni vetëm anën e patrajtuar të gojës. Më poshtë është një listë e shkurtër me këshilla që duhet të keni parasysh pas mbushjes dentare:
- Sigurohuni që të shmangni kafshimin e ushqimeve të forta ose objekteve si tapat e shisheve ose kapakët e stilolapsave.
- Shmangni ushqimet që ngjisin nëpër dhëmbë, sidomos gjatë ditëve të para pas procedurës.
- Mos harroni të lani dhëmbët rregullisht dhe të përdorni fillin dentar!
- Mos harroni të vizitoni dentistin rregullisht. Prishja e dhëmbëve nuk tregon shenja menjëherë, kështu që kontrollet e rregullta janë të domosdoshme!
- Përdorni një pastë dhëmbësh me fluor dhe furçë dhëmbësh me qime të buta.